Jeta Osh Qef
Home

Haradinaj avanturist, i del kundër shefit të NATO-s
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 06/12/2018 13:20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është treguar shumë racional sot në punimet e Kuvendit, duke i dalë kundër deklaratave të djeshme të shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg kërcënoi Kosovën me pasoja në rast se e krijon ushtrinë në këtë moment, që ai po e quan të papërshtatshëm, raporton JOQ Kosova.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s. Dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, kishte thënë dje Stoltenberg, duke kërkuar të mos krijohet ushtria.

Mirëpo, i pari i Qeverisë e nisi një aventurë duke i dalë kundër njeriut që udhëheqë me forcën më të madhe ushtarake në botë.

Haradinaj ka përsëritur se Kosova do të bëhet me ushtri më 14 dhjetor, duke shtuar se ““ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ec në rrugën e saj”.

“Nuk kemi arritur që çdo qeverie anëtare të NATO-s, t’ua shpjegojmë të vërtetën e transformimit të FSK-së. Por, ne i kemi plotësuar ato kushte bazike të sqarimeve për të ecur përpara me ushtrinë tonë, pra i kemi plotësuar. Me këtë jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik e ardhmja jonë me NATO-n, por përkundrazi. Ne nga ata që absorbojmë siguri, në të ardhmen do të ofrojmë siguri”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ndryshe, kjo është hera e parë kur një kryeministër kosovar i del kundër aleatit më të madh të Kosovës, NATO-s, e cila kishte ndërhyrë edhe ndaj Serbisë për ta çliruar Kosovën./JOQ Kosova